PRISHTINË, DHJETOR – Gjyqësia e Kosovës, edhe pas tetë vjetësh që kur Kosova është bërë shtet, nuk po arrin të krijojë integritet. Ndikimi politik, korrupsioni, joprofesionalizmi e neglizhenca janë karakteristikat kryesore prej pasluftës, që për pasojë kanë krijuar një sistem jokredibil dhe jotransparent.
Gjyqtarë, madje edhe kryetarë gjykatash u gjykuan e po gjykohen nën akuzën për korrupsion. Afro 50 gjyqtarë u hetuan dhe u gjetën fajtorë nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për ndikim e neglizhencë vetëm brenda dy vjetëve të fundit.
Si pasojë e joprofesionalizmit, gjyqësori vazhdon të jetë sektori në të cilin më së shumti shkelen të drejtat e njeriut.
Kësaj situate i ka ndihmuar mungesa e përkrahjes politike për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur. Por asnjëherë nuk ka munguar vullneti politik për ta mbajtur nën kontroll çdo segment të sistemit.
Mosgatishmëria për ta ndryshuar këtë influencë vihet në pah duke filluar prej ndryshimeve që i janë bërë pakos së ligjeve përmes të cilave është shpallur një amnisti për gjykatësit dhe prokurorët, të cilët kanë qenë duke u përballur me procedura të hetimit disiplinor apo kanë mundur të përballen.
Amnistia përfshin të gjitha shkeljet e supozuara të prokurorëve dhe gjykatësve që janë më të vjetra se dy vjet, të cilat, sipas dispozitave të reja ligjore, nuk mund të ndiqen kurrë. Kjo, falë votës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Pos dështimit dhe paaftësisë për të luftuar korrupsionin e nivelit të lartë, së fundi gjyqësori është mbyllur për publikun. Dy proceset ndër më të përfolurat këtë vit, afera “Stenta” ku po gjykohen dhjetëra mjekë për dallavere me zemrën, si dhe rasti i ishkryetarit të Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, i cili po akuzohet pikërisht për korrupsion, janë mbyllur për media.
Janë dhënë arsyetime banale, në të parin është gjetur pretekst hapësira, kurse në të dytin çështje të ndjeshme personale, me gjithëse ish-kryetari akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti.
Rastet e profilit të lartë, ato të pasurisë së jashtëligjshme, të korrupsionit dhe krimit të organizuar po mbesin në arkiva deri në parashkrim. Raporte të shumta ndërkombëtare e vendore kanë nxjerrë në pah vazhdimisht këto probleme, të cilat po i kushtojnë Kosovës në rrugën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, investime të huaja dhe zhvillim ekonomik.
Për dy vjet, rreth 50 gjyqtarë janë hetuar për shkelje gjatë punës në gjyqësor nga Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD). Sivjet, kjo zyrë ka hetuar 21 gjyqtarë. Njëmbëdhjetë janë gjetur fajtorë dhe i janë proceduar shkallës së dytë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të marrë masa disiplinore ndaj tyre, kurse ndaj pjesës tjetër janë duke vazhduar hetimet.
Për dy vjet, rreth 50 gjyqtarë janë hetuar për shkelje gjatë punës në gjyqësor nga Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD). Sivjet, kjo zyrë ka hetuar 21 gjyqtarë. Njëmbëdhjetë janë gjetur fajtorë dhe i janë proceduar shkallës së dytë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për të marrë masa disiplinore ndaj tyre, kurse ndaj pjesës tjetër janë duke vazhduar hetimet.
Një vit më parë, kjo zyrë ka zhvilluar hetime ndaj 27 gjyqtarëve të tjerë. Dhjetë prej tyre janë dërguar në KGJK për konstatim përfundimtar, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është ndëshkuar, që nënkupton se ndaj asnjërit KGJK-ja nuk ka marrë masa. Krejt kjo me arsyetimin se nuk kanë gjetur sjellje të pahijshme.
Të dhënat e fundit, si dhe ato të një viti më parë, i janë ofruar “Kohës Ditore” nga drejtori i kësaj zyre, Zef Prendrecaj. Megjithatë, ai ka thënë se nuk i lejohet që të bëjë komente rreth tyre.
Në vitin 2015, sipas Prendrecajt, janë pranuar gjithsej 515 ankesa (parashtresa) për gjyqtarë prej të cilave, pas një hetimi preliminar janë ndërmarrë veprimet si në vijim: janë refuzuar 240 parashtresa ndaj gjyqtarëve; janë hapur 27 hetime disiplinore për gjyqtarë, si dhe janë dërguar 10 raporte në KGJK.
“Mirëpo, në KGJK janë mbyllur pa gjetje të sjelljes së pahijshme të 10 hetimet disiplinore”, ka theksuar ai.
Gjatë këtij viti, Prendrecaj ka thënë se kanë pranuar 388 ankesa ndaj gjyqtarëve dhe pas një hetimi preliminar janë ndërmarrë veprimet si në vijim: janë refuzuar 477 parashtresa ndaj gjyqtarëve (disa janë raste të bartura nga viti 2015, por që janë vendosur në vitin 2016); janë hapur 21 hetime disiplinore për gjyqtarë; si dhe janë dërguar 11 raporte në KGJK për vendim përfundimtar rreth masave disiplinore.
“Disa prej këtyre rasteve janë nën hetim disiplinor. Vendimet disiplinore për to mund t’i merrni në KGJK”, ka shtuar drejtori i ZPD-së.
Gazeta i ka kërkuar Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të dhënat për vendimet rreth rasteve disiplinore. Zëdhënësja e saj, Aishe Qoraj, ka thënë se për vitin 2015, janë dy gjyqtarë për të cilët Komisioni ka marrë vendim për të pushuar procedurën disiplinore, për shkak të arritjes së parashkrimit të pretendimit nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, për sjellje të pahijshme.
“Sa i përket viti 2016 janë gjithsej katër gjyqtarë, për të cilët po ashtu me vendim të Komisioni Disiplinor Gjyqësor, u është pushuar procedura disiplinore për shkak të arritjes së parashkrimit apo vjetërsimit”, ka shtuar ajo.
Me gjithë ankesat ndaj gjyqtarëve, ende ZPD-ja nuk është dëshmuar si mekanizëm i fuqishëm, i cili do të mundë t’i disiplinonte gjyqtarët. Për me tepër, i gjithë sistemi gjyqësor nuk ka në praktikë mekanizma të matjes së performancës, siç e parasheh ligji. Sipas Ehat Miftarajt, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, kjo gjykatësve u ofron amnisti nga shkeljet e shumta që i bëjnë.
“Sikurse, edhe pesë vite pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe obligimit të KGJK-së, të bëjë vlerësimin e performancës së gjykatësve, në praktikë Komisioni për Vlerësimin e Performancës së Gjykatësve nuk ka përmbushur një obligim të tillë. Dështimi i mekanizmave të performancës dhe disiplinimit i ofron pothuajse amnisti të plotë gjykatësve për çdo dështim apo shkelje të Kodit të Etikës dhe Sjelljes Profesionale. Mosfunksionimi i këtyre mekanizmave, institutin e llogaridhënies e fuqizon në letër, ndërsa në praktikë nuk ekziston fare”, ka thënë Miftaraj.
Pos rasteve disiplinore, krerë gjykatash e gjyqtarë janë gjykuar e po gjykohen edhe për vepra penale.
Ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, është dënuar nga shkalla e parë me dy vjet burgim nën akuzat për nxjerrje të vendimeve të jashtëligjshme në rastin e tjetërsimit të pronave, në vlerë prej 60 milionë eurosh. Bashkë me të, për pjesëmarrje në këtë krim janë gjetur fajtorë edhe shtatë ish-gjyqtarë të Gjykatës së Qarkut në Prishtinë: Rrahman Retkoceri, Ferid Bislimi dhe Ekrem Agushi, si dhe ish-gjyqtarët e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Olga Janiqjeviq, Sanije Muqolli, Shemsije Sheholli dhe Tihomir Mikariq.
Mirëpo, disa muaj më parë, Gjykata e Apelit ka shpallur të pafajshëm Ukën dhe disa të tjerë. Sipas kësaj gjykate, nuk është vërtetuar se ka kryer veprat penale: nxjerrje të vendimeve të paligjshme, si dhe nxitje në nxjerrje të vendimeve të paligjshme.
Në anën tjetër, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Sali Mekaj, së fundi po gjykohet për tri vepra penale: keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe marrje ryshfeti në tentativë. Në bazë të aktakuzës, Mekaj dyshohet se ka pranuar ryshfet në vlerë prej 20 mijë eurosh gjatë një rasti gjyqësor.
Mekaj, sipas aktakuzës, me këtë qëllim ka kërkuar nga gjyqtarja e njërit rast gjyqësor që ta caktojë shqyrtimin gjyqësor në atë lëndë, në kundërshtim me aktvendimin e Gjykatës së Apelit. Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe kundër tre personave të tjerë të lidhur me rastin.
Se ka korrupsion dhe joprofesionalizëm në sistemin gjyqësor është pajtuar vetë kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, gjatë një debati në kuadër të Javës kundër korrupsionit, e cila është organizuar këtë javë.
Ai ka thënë se të gjithë indikatorët edhe realiteti që është në Kosovë, për fat të keq, tregojnë që korrupsioni është realitet. Madje, sipas tij, Kosova është duke shkuar nga ajo që korrupsioni është duke u bërë standard i jetës. “Nëse ne nuk e pranojmë kështu si të tillë, ne nesër do të jemi shumë më keq sesa që jemi sot”, është shprehur Ibrahimi.
Sipas tij, gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë për t`u lëvduar për punën e bërë.
“Në prani të të dhënave që po na prezantohen në vazhdimësi, del se me gjithë angazhimet maksimale që i kemi, rezultatet fatkeqësisht janë këto që janë, dhe nuk janë të mira. Këto rezultate janë derivat i një qëndrimi negativ dhe shumë të dëmshëm që ka qenë në Kosovë, e që është edhe tani, i mungesës së vullnetit për të krijuar kapacitete të mirëfillta për të gjykuar rastet e rënda, duke përfshirë edhe ato të korrupsionit”, është shprehur Ibrahimi, duke shtuar se në Kosovë për një kohë të gjatë është eksperimentuar me sistemin e drejtësisë.
Por, hulumtuesi i Demokraci Plus, Isuf Zejna, mungesën e rezultatit e ka lidhur me mungesën e vullnetit të gjyqtarëve që të sjellin rend në këtë sistem problematik. Sistemin gjyqësor e ka përshkruar si “frikacak e pa rezultate”.
“Gjyqësori ka dështuar në luftën kundër korrupsionit. Kjo për shkak se në shumicën e rasteve të korrupsionit, gjykatat kanë liruar të akuzuarit, kanë vonuar caktimin e seancave apo edhe kur kanë dënuar, ato kanë shqiptuar dënime shumë të ulëta. Të gjitha këto elemente flasin për një sistem frikacak gjyqësor, i cili nuk ka guximin e duhur të përballet me sfidat të cilat përcjellin shoqërinë kosovare”, ka thënë Zejna.
Gjyqtarët e prokurorët, përveçse i nënshtrohen ndikimit politik, “vuajnë “ edhe nga mungesa e profesionalizmit. Një raport i para disa muajsh i OSBE-së nxjerr në pah ngecjet në kuptimin e Kodit Penal të atyre që do të duhej ta zbatonin. Problematike, sipas raportit, janë mosnjohuritë në fazën e ngritjes së aktakuzës.
“Ky dështim për përgatitjen efikase të çështjes në fazën e hetimit është shumë brengosës. Forma akuzatore e procedurës penale ka në themel rolin aktiv të palëve në mbledhjen dhe paraqitjen e provave. Kjo formë e procedurës mund të realizohet me sukses vetëm në qoftë se palët përgatiten për gjykimin në kuptimin e mirëfilltë”, thuhet në raport.
Por, përveç kësaj, edhe gjyqtarët bëjnë gabime elementare në fushëveprimin e tyre. “OSBE-ja gjithashtu ka monitoruar raste në të cilat gjykatat gabimisht kanë zhvendosur barrën e dëshmisë në vendimet e tyre; në vend që të shqyrtojnë nëse prokurori ka paraqitur prova të mjaftueshme në aktakuzë, ata shqyrtonin nëse i pandehuri e kishte bërë këtë në kërkesat e tyre për të hedhur poshtë aktakuzën. Gjykatat pastaj përfundonin se të pandehurit nuk kanë dëshmuar pafajësinë e tyre dhe konfirmonin aktakuzën”, është një tjetër gjetje e këtij raporti.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka refuzuar të komentojë rastet gjyqësore që po zhvillohen ndaj gjyqtarëve për vepra penale. Zëdhënësja e Këshillit, Aishe Qorraj, është përgjigjur vetëm për shkeljet disiplinore.
“Po, ka gjyqtarë që janë shpallur përgjegjës për shkelje të disiplinës dhe atyre u është shqiptuar masa disiplinore përkatëse”, ka thënë shkurt ajo, duke mos dhënë kurrfarë detajesh.
Politika është përkujdesur që t`u dalë “hakut” gjyqtarëve e prokurorëve. Ka ndryshuar pakon ligjore përmes së cilës tash e tutje amnistohen shkeljet e vartësve të ligjit të kryera para dy vjetësh.
Kështu, amnistia përfshin të gjitha shkeljet e supozuara të prokurorëve dhe gjykatësve që janë më të vjetra se dy vjet, të cilat, sipas dispozitave të reja ligjore, nuk mund të ndiqen kurrë.
Kjo, nga njohësit e ligjit përkthehet si kthim i drejtpërdrejtë i borxhit të politikës ndaj “argatëve” të tyre, të cilët kanë kryer dhe kryejnë çdo ditë detyra që u vihen barrë nga politika. Përgjegjës për këtë amnisti të shkeljeve në gjyqësor e prokurori janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë votuar pro këtyre ndryshimeve.
Politikës nuk po i mungon vullneti për ta mbajtur nën kontroll çdo segment të sistemit. Rastet e varësisë së gjyqtarëve nga politika nuk janë të rralla, shpeshherë edhe në rrethana krejtësisht të hapura.
Këtë vit, gjyqtarja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Naime Krasniqi, është gjetur fajtore nga Zyra e Prokurorit Disiplinor pikërisht për ndikim dhe njëanshmëri. Ajo kishte zhvilluar një “ekspres gjykim” ndaj një të riu në shtator të vitit të kaluar, pasi kishte kërcënuar Besnik Mustafën, djalin e kryeministrit, Isa Mustafa në rrjetin “Facebook”.
I riu nga Klina kishte kërcënuar me djegie me benzinë Besnik Mustafën dhe me “varje te semaforat”, ministrin e Punës, Arban Abrashi, siç pati shkruar ai, pas një revolucioni që do të ndodhë në Kosovë.
I gjithë procesi ndaj tij pati përfunduar brenda 24 orëve. Ai ishte dënuar me tre muaj burgim për veprën penale të kanosjes bazuar në një aktakuzë, e cila i është ngritur atë ditë që është arrestuar. Ishte dërguar në burg për vuajtjen e dënimit po ashtu një ditë pasi është arrestuar.
Ky gjykim është parë i dyshimtë nga ZPD-ja, e cila ka zhvilluar hetime përgjatë tre muajve nën dyshimin se ka ndikuar dikush nga jashtë, duke e pasur parasysh se bëhej fjalë për djalin e kryeministrit. Dyshimi ka rezultuar të jetë i vërtetë. Tash, rasti është në KGJK ku pritet të merren masa disiplinore ndaj gjyqtares Krasniqi.
Një tjetër ndërhyrje është bërë edhe në rastin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Gjyqtarja tjetër e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Alltëne Murseli, është hetuar nga ZPD-ja këtë vit dhe është gjetur fajtore, për shkak se ka zvarritur qëllimisht kërkesën e Prokurorisë Speciale për hetim të veçantë ndaj Hasanit.
Si pasojë, nuk ishte zhvilluar asnjëherë ky hetim, për shkak se gjyqtarja me vetëdije nuk ka thirrur seancën për afro një vit. Në momentin që është ngritur aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe për falsifikim të dokumentit zyrtar në shkurt të këtij viti, i ka humbur më efekti hetimit të veçantë.
Emrat e shumë gjyqtarëve shpesh janë përmendur për lidhje me politikën. Në aferën “Pronto” deputeti i PDK-së dëgjohet duke folur për ndikimin që ka pasur në përzgjedhjen e Sali Mekajt si kryetar i Gjykatës së Apelit.
Përzgjedhja e njerëzve të gjyqësorit sipas përcaktimit të tyre politik, sipas Albana Rexhës, nga Grupi për Studime Politike e Juridike, e tregon tendencën e politikës që të mos e reformojë këtë sistem.
“Sa i përket emërimit të gjyqtarëve me prapavijë politike, vlerësoj se është thjeshtë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e gjyqësorit dhe tregues se diskursi për pasjen e politikave efektive për sistemin e drejtësisë mbetet thjesht proklamim medial, duke rezultuar me mosvullnet të politikës për të reformuar këtë sistem”, ka thënë Rexha.
Zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj, ka mohuar se gjyqësori është i ndikuar politikisht. Sa i përket raportit mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit, ka thënë se duhet të bashkëpunojnë ngushtë me qëllim të avancimit të sistemit, por “kurrsesi të ndërhyjnë në kompetencat e njëra-tjetrës”. Por, gjyqësori, sipas Miftarajt, sa herë është sfiduar deri tani me figura politike ka dështuar. Këtu ai ka përmendur një padi të ish-deputetit, Florin Krasniqi kundër presidentit aktual, Hashim Thaçi.
“Të gjithë e dinë rastin e një padie private, të cilën e pati ngritur ish-deputeti opozitar Florin Krasniqi ndaj aso kohe kryeministrit Hashim Thaçi. Është e papranueshme se si këtë lëndë të thjeshtë, nuk ka pasur guxim askush ta trajtojë në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës. Aso kohe është qitur short në mesin e gjykatësve dhe kur i ka ra shorti një gjykatëseje, ka refuzuar ta trajtojë lëndën dhe ka pasur një kërkesë që kjo lëndë për shkak të “profilit të lartë” të dërgohet për t’u gjykuar tek gjykatësit ndërkombëtarë dhe kështu ka ndodhur”, ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD-ja.
Megjithatë, Isuf Zejna, nga Demokraci Plus, problemin te politizimi i gjyqësorit nuk e sheh te gjykatat.
“Ligjërisht gjyqësori është degë e qeverisjes e pavarur, mirëpo në Kosovë gjyqësori nuk ndihet si i tillë dhe nuk sillet si i pavarur. Degët e tjera të qeverisjes, si Kuvendi dhe sidomos Qeveria, janë shumë më superiore në raport me gjyqësorin.
Ato, përveçse nuk i ndajnë buxhetin e nevojshëm, ndikojnë edhe në emërime dhe marrjen e vendimeve. Ta zëmë, gjyqësori është shumë më i butë ndaj politikanëve, sesa ndaj qytetarëve të zakonshëm”, ka thënë ai. Zejna si rast ilustrativ ka marrë grushtimet e djemve të Adem Grabovcit ndaj zyrtarit policor e, në anën tjetër, ryshfetin e një qytetari të rëndomtë ndaj një zyrtari policor.
“Nëse e krahasojmë rrezikun e “grushteve” me rrezikun e ryshfetit për Policinë e Kosovës, kjo më së miri përshkruan objektivitetin dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Drejtësia në Kosovë ndahet varësisht nga fuqia politike që kanë individët dhe në këtë mënyrë nuk mund të flitet për një gjyqësor, i cili i arrin kërkesat qytetare dhe nevojat e shoqërisë”, ka thënë ai.
Dy proceset gjyqësore ndër më të përfolurat këtë vit, afera “Stenta” dhe rasti i ishkryetarit të Gjykatës së apelit, Sali Mekaj, janë mbyllur së fundi për medie nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Mungesa e hapësirës është gjetur si pretekst për përjashtimin e gazetarëve në rastin “Stenta”, kurse te rasti i Mekajt është nxjerrë vendim për mbylljen e gjykimit në të gjitha fazat me arsyetimin se rasti ka të bëjë me çështje të ndjeshme personale të të akuzuarve, edhe pse ish-kryetari akuzohet për vepra penale të korrupsionit dhe keqpërdorim të pozitës.
Zhvillimi i këtyre gjykimeve larg vëmendjes së opinionit është kritikuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), si dhe nga njohës të çështjeve ligjore. Ata kanë thënë se këto dy raste janë precedentë të rrezikshëm, të cilët po ashtu dëshmojnë për mostransparencë të gjyqësorit.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, si dhe 62 të akuzuar të tjerë në mesin e të cilëve mjekë e biznesmenë po akuzohen për disa vepra penale: keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e dhënie ryshfeti, si dhe trajtim jo të duhur mjekësor.
Në anën tjetër, Mekaj po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, si dhe për marrje ryshfeti.
Sa i përket mostransparencës, zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj, ka thënë se gjyqtari i çështjes mund të vendosë që seancat të jenë të mbyllura dhe se për këtë nevojitet vendim i veçantë.
“Ne, si KGJK, nuk mund të deklarohemi rreth rasteve në fjalë, ngase çfarëdo deklarimi do të mund të konsiderohej si ndërhyrje. Për rastet që ju u referoheni, gjykata ka vendosur të jenë të mbyllura, ndërsa besojmë se arsyet duhet t`i gjeni në vendimet respektive”, ka thënë ajo.
Megjithatë, Qorraj nuk i është përgjigjur pyetjes se çfarë është duke bërë KGJK-ja për të rritur transparencën në sistemin gjyqësor. Shqetësuese tendencën për mbylljen e gjykatave e ka vlerësuar edhe shoqëria civile. Ehat Miftaraj konsideron se pa gjykata të hapura nuk ka legjitimitet të drejtësisë.
“Drejtësia legjitimohet me besimin e qytetarëve dhe ky besim mund të fitohet vetëm kur publiku sheh dhe dëgjon për atë që ndodh në një shqyrtim publik gjyqësor. Kjo qasje e gjykatësve është e papranueshme për IKD-në dhe ne kemi kërkuar që vendime të tilla të rishqyrtohen dhe të vendoset drejt për ta rritur transparencën dhe llogaridhënien para publikut, në mënyrë që të legjitimohet drejtësia që ndahet prej këtyre gjykatësve”, ka thënë Miftaraj.
Mbyllja e gjykatave dhe përballja e tyre me raste të ndjeshme, sipas Zejnës, nga Demokraci Plus, ka rritur edhe me shumë diskrepancën e qytetarëve me gjyqësorin.
Edhe raporte të organizatave ndërkombëtare e konstatojnë mungesën e transparencës si problem të gjyqësorit. Një raport i UNDP-së me theks të veçantë shtjellon problemin e qasjes në dokumente zyrtare.
“Gjendja e përkeqësuar e kësaj mungese të transparencës pasqyrohet në nivelin e dobët të zbatimit të Ligjit për qasje në dokumente publike nga ana e gjykatave, KGJKsë dhe KPK-së”, thuhet në këtë raport.
Me gjithë miratimin e Strategjisë shtetërore për zvogëlimin e lëndëve të grumbulluara në tetor të vitit 2010, trendi i lëndëve të parashkruara ka vazhduar edhe në vitet 2015-2016.
Për më keq, ka tendenca të qarta që parashkrimi i lëndëve të vazhdojë edhe në të ardhmen, nëse nuk fillohet të merren masa disiplinore dhe penale për ata gjyqtarë të cilët lejojnë vjetërsimin e lëndëve, për të cilat kanë qenë të ngarkuar që t’i shqyrtojnë.
Për këtë çështje, disa herë është përmendur se janë filluar hetime për gjyqtarët që kanë lejuar vjetërsimin e lëndëve, nga ana e Zyrës së Prokurorit Disiplinor pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës, “por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me shkarkimin e tyre” .
Rreth dy mijë lëndë gjyqësore kanë arritur parashkrimin gjatë vitit 2015 në mënyrë absolute. Derisa në mënyrë relative janë parashkruar 240 lëndë. Në një prononcim të mëhershëm për gazetë, zëdhënësja e KGJK-së, Aishe Qorraj, ka thënë se gjatë vitit 2015 janë parashkruar në mënyrë relative 240 lëndë, kurse në mënyrë absolute 1.805 lëndë.
“Parashkrimi ndodh për shkak të vëllimit të madh të lëndëve, respektivisht ngarkesës me lëndë për gjyqtarë”, ka thënë ajo.
Me gjithë pritjen e gazetës me ditë të tëra për të marrë statistikat për lëndët e parashkruara gjatët vitit 2016, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) nuk ia ka ofruar ato.
KGJK) nuk ia ka ofruar ato. Kësaj radhe KGJK-ja ka ofruar të dhëna vetëm për lëndët e zgjidhura e të pazgjidhura, si dhe aktgjykimet liruese.
Qorraj ka thënë se gjatë periudhës janar – shtator 2016, gjykatat i kanë zgjidhur 348.553 lëndë, ndërsa të pazgjidhura kanë mbetur 427.335 lëndë.
“Gjykatat Themelore me degë gjatë kësaj periudhe raportuese i kanë zgjidhur 17.143 lëndë penale, ndërsa prej tyre 5.496 lëndë nuk kanë përfunduar me aktgjykim fajësues”, ka shtuar ajo.
Sa i përket Gjykatës së Apelit, Qorraj ka thënë se gjatë periudhës raportuese i ka zgjidhur 5.541 lëndë, ku prej tyre i ka kthyer në rigjykim 978 lëndë ose 17.6 %.
Para disa ditësh, në një prononcim në emisionin “Interaktiv” të Kohavisionit, kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, ka thënë se shumica e lëndëve të zgjidhura nuk janë të profilit të lartë, por të profilit të ulët ose të mesëm. Një ndër rastet e mëdha të korrupsionit, i cili ka arritur kohën e parashkrimit për shkak të neglizhencës së gjykatave është ai i ish-drejtoreshës së PTK-së, Leme Xhema.
Ajo ishte dënuar më 2008 për lidhje të një kontrate të dëmshme për kompaninë ku ka punuar dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2011 ia kishte vërtetuar Xhemës dënimin e shpallur prej gjykatës së shkallës së parë me tre vjet heqje lirie dhe prej atëherë ajo ishte arr atisur, kurse emri i saj gjendej në Interpol, por as kjo nuk ka ndihmuar në arrestimin e saj. Pas parashkrimit të rastit, Xhema është kthyer në Kosovë.
Institucionet e rendit dhe ligjit, neglizhencë janë duke treguar edhe ndaj ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku, i cili është dënuar para katër vjetësh me 3 vjet burgim për veprat penale: detyrim dhe armëmbajtje pa leje. Mirëpo, ai nuk e ka vuajtur këtë dënim, për shkak se është arratisur në Suedi.
Shteti nuk ka arritur deri sot ta ekstradojë atë. Kohë pas kohe ai bëhet i gjallë përmes rrjeteve sociale. Madje, është parë edhe gjatë tubimeve të PDK-së.
Nëse edhe për tre vjet Zharku nuk do të sillet në Kosovë për vuajtjeje të dënimit, lënda e tij do të arrijë kohën e parashkrimit.
Rasti i 13 studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin “Hasan Prishtina”, të cilët po akuzohen për shitblerje të notave, rrezikon të parashkruhet në mënyrë absolute shkaku i neglizhencës së gjykatës. Për 15 muaj prej se është ngritur aktakuza, janë mbajtur vetëm dy seanca gjyqësore. Zvarritja e këtij procesi mund t’i ndihmojë të akuzuarit që të lirohen nga disa pika të aktakuzës, meqë disa nga veprat penale për të cilën dyshohen këta persona e kanë arritur kohën e parashkrimit.
Sipas hulumtuesit të Demokraci Plus, Isuf Zejna, gjykatat jo që nuk zgjidhin raste, por lejojnë parashkrimin e tyre.
“Gjyqësori është i mbingarkuar me lëndë dhe konteste, mirëpo ky numër i lëndëve nuk shkon duke u zgjidhur, por duke u parashkruar. Parashkrimi, si institucion i vjetërsimit të lëndëve nënkupton drejtësi të mohuar, për shkak të mosefikasitetit të gjykatave”, ka thënë Zejna.
Çështja e parashkrimit është konsideruar mjaft shqetësuese nga Ehat Miftaraj i IKDsë. Ai ka thënë se kjo ndërlidhet me shkeljen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, të cilët e kanë pothuajse të pamundur që të realizojnë të drejtat në kohë të arsyeshme dhe të garantuar me ligj.
“Në fakt lëndët e korrupsionit, nuk janë fare reprezentative për korrupsionin e vërtetë, i cili zhvillohet në Kosovë, sepse realisht korrupsioni i vërtetë nuk ndiqet për
shumë arsye si pasojë e ndikimit politik apo mungesës së profesionalizmit”, ka thënë ai. Besimi i qytetarëve në drejtësi, sipas Miftarajt, është në shkallën më të ulët të të gjitha kohërave.
Raporti i fundit i Progresit e ka kritikuar Kosovën për sistem të dobët të drejtësisë. Shqetësim vazhdon të jetë pavarësia e gjyqësorit, llogaridhënia e gjyqtarëve e prokurorëve dhe ndikimet politike në gjyqësor.
“Vazhdojnë të qëndrojnë shqetësimet e fuqishme për deklaratat publike të zyrtarëve të lartë për raste që janë në vazhdim e sipër si ndërhyrje në Gjyqësor. Ka shumë akuza për korrupsion, ku janë të përfshirë pjesëtarë të Gjyqësorit ose Prokurorisë”, thuhet në raport.
Aty vlerësohet se numri i rasteve të ngritura nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për shkelje të gjyqtarëve e prokurorëve, është i ulët.
Nga shtatori i 2015-s deri në prill 2016, kjo zyrë ka proceduar vetëm 5 raste kundër gjyqtarëve dhe 10 kundër prokurorëve. Deri tash, asnjë nga këta persona nuk është larguar nga puna, kurse 2 prokurorë janë suspenduar nga KPK-ja për mitmarrje.
Gjetje të ngjashme kishte Kosova edhe në vitin 2015, duke u konsideruar vend me gjyqësor të dobët e të pakonsoliduar.
Në Raportin e Progresit të vitit të kaluar, kishte kritika të shumta për sistemin e drejtësisë: lëndë të pazgjidhura, numër të vogël të gjyqtarëve, buxhet të kufizuar e deri te ndikimi politik në raste gjyqësore. Pak progres përmendet se është arritur vetëm me miratimin e një pakete të ligjeve.
Në raport theksohet se administrata e drejtësisë është e ngadalshme, nuk ka llogaridhënie të zyrtarëve gjyqësorë dhe se sistemi gjyqësor ende është i prirë nga ndërhyrjet politike. Për këto, raporti rekomandon zbatim të paketës së ligjeve për drejtësi, financim për resurse njerëzore për sektorin e gjyqësisë dhe të sigurohet emërimi i ligjshëm dhe me kohë për anëtarë të institucioneve të rëndësishme si KGJK-ja dhe KPK-ja.
91 mijë e 545 lëndë janë të pazgjidhura në gjykatat e Kosovës, shifër kjo e fillimit të 2015-s, kurse 24 mijë e 948 lëndë janë nga vitet e kaluara. Llogaritet se rreth 19 gjyqtarë punojnë në Kosovë për 100 mijë banorë. Lufta kundër korrupsionit ka ngecur dhe për këtë duhet vullnet i madh politik që të luftohet ky fenomen siç duhet, rekomandon raporti.
Kosova nuk ka ende të dhëna për hetime, aktakuza dhe dënime në rastet e korrupsionit. Një rekomandim i rëndësishëm është ai se Kosova duhet të marrë masa të duhura për të hetuar pasurinë e pashpjegueshme dhe prejardhjen e saj. Shumica prej këtyre rekomandimeve një vit më pas nuk janë realizuar.
Gjithashtu, sipas raportit të OSBE-së, i publikuar në qershor 2016, gjyqtarët duhet të marrin aktvendime të arsyetuara mirë në lidhje me kërkesën e mbrojtjes për hedhje poshtë të aktakuzës. Aktvendimet e tilla gjithmonë duhet të jenë me shkrim. Nuk mjafton, sipas këtij raporti, që të nxirret përfundimi që prokurori ka mbledhur dëshmi të mjaftueshme për të vazhduar me gjykim si dhe të renditen shkurtimisht provat e përshkruara në aktakuzë.
“Përfundimet e tilla gjithmonë duhen mbështetur me arsyetim. Provat duhen analizuar dhe argumentet e mbrojtjes duhet të trajtohen. Aktvendimet gjithashtu duhen dhënë në mënyrë të shpejtë, ashtu që të mos vonohet fillimi i gjykimit”, thuhet në raport.
Imazhi i keq i gjyqësorit ka “detyruar”edhe Bashkimin Evropian që, ndryshe prej shteteve të tjera, Kosovën ta kushtëzojë për liberalizim të vizave edhe me luftimin e korrupsionit në nivel të lartë. Kjo kërkesë e BEsë nënkupton aktvendime dënuese për korrupsionin e jo spektakle të Prokurorisë së Shtetit siç kanë qenë deri tash.
Albana Rexha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), vlerëson se izolimi i qytetarëve të Kosovës është pasojë e sanksioneve të BE-së për mosfunksionimin e gjyqësorit.
“I vetmi rast kur është përdorur mekanizmi i kushtëzimit aktiv për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është udhërrëfyesi i BE-së për liberalizimin e vizave. BE-ja e ka kushtëzuar lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës me luftimin e këtyre dukurive negative. Kosova ka vazhduar të mos tregojë rezultate konkrete, dhe BE-ja vazhdon ta sanksionojë Kosovën me shtyrje të vendimit pozitiv për liberalizim vizash për Kosovën”, ka thënë Rexha.
Edhe Isuf Zejna hulumtues në Demokraci Plus ka folur për imazhin negativ që ka gjyqësori tek Bashkimi Evropian.
“BE-ja si institucion me prezencë të lartë në Kosovë në vazhdimësi ka monitoruar punën e institucioneve të drejtësisë. Për më tepër, BE-ja edhe ka investuar sasi të konsiderueshme të fondeve të veta në sistemin gjyqësor kosovar. Sidoqoftë, të gjithë pajtohen se me gjithë investimet që janë bërë, efektet dhe rezultatet nuk janë ato të cilat i kemi pritur. Ende mungon guximi i gjyqtarëve që të japin dënime meritore, të konfiskojnë pasuri të paligjshme dhe të përballen me personat të cilët kanë influencë në parti politike dhe institucione publike”, ka thënë Zejna.
Për Ehat Miftarajn, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, gjendja e gjyqësorit ka ndikim te raportet me BE-në.
“Kosova tanimë ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim Asocim. Kjo marrëveshje nënkupton obligime shtesë për Kosovën edhe në fushën e drejtësisë, e ku përfshihet edhe përmirësimi i sistemit gjyqësor dhe Prokurorial, në mënyrë që të njëjtat të jenë në gjendje që të sjellin rezultate konkrete në luftimin e kriminalitetit në Kosovë, me theks të veçantë luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë ai.
(Kjo analizë u përkrah nga Instituti Columbus)