Kosova vazhdon të shënojë nivelin më të lartë të papunësisë në Evropë. Trendet aktuale nuk japin indikacione se papunësia do të ulet në një të ardhme të afërt. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të cilat flasin për vitin 2015, niveli i papunësisë në Kosovë është 32.9 për qind.
Sipas Anketës së fuqisë punëtore për vitin 2016, të publikuar nga ASK-ja, shkalla e papunësisë ka rënë në 26.2 për qind. Këto shifra nuk konsiderohen reale, për faktin se në këtë përqindje llogariten vetëm personat që kanë kërkuar punë dhe jo popullsia që njihet si joaktive.
Sipas ASK-së, 62.2 për qind e personave në moshë pune, nuk janë ekonomikisht aktivë. Pra nuk janë të punësuar por as nuk kanë kërkuar punë. Të dhënat e ASKsë tregojnë se 732 mijë e 682 persona të aftë për punë, të cilët nuk kanë kërkuar punë e as nuk kanë një vend pune, nuk konsiderohen si të papunë.
Premtimet për 120 mijë vende të reja pune të LDK-së, si dhe ato për 200 mijë vende të reja pune të PDK-së, nuk u realizuan as për së afërmi. E zyrtarët qeveritarë, pa llogaritur fuqinë joaktive punëtore, brengosen me të dhënat e ASK-së për ulje të shkallës së papunësisë, pa përmendur që joaktiviteti i fuqisë punëtore nga viti 2014 deri më tani është rritur për 3.8 për qind.
Ende vazhdon një diskriminim i theksuar në tregun e punës ndaj grave në Kosovë, sidomos në sektorin privat. Sipas disa hulumtimeve të Iniciativës Kosovare për Stabilitet-IKS, punësimi në Kosovë është në favor të burrave. Ata, përveç që shfaqin prezencë më të madhe në fuqinë punë- tore aktive, gjithashtu kanë siguri më të lartë në vendin e punës. Burrat dominojnë pozitat afatgjata të punësimit.
Ndërkohë, 55 për qind e qytetarëve të anketuar janë të papunë. Gratë përbëjnë 57 për qind të numrit të përgjithshëm të të papunëve, ndërsa 43 për qind janë burra. 48 për qind e të anketuarve thonë se janë të papunë për një periudhë të gjatë. 39 për qind e të anketuarve janë të papunë për më shumë se pesë vjet.
Një arsye tjetër e pakënaqësisë te të papunët kosovarë është humbja e besimit tek institucioni i konkursit publik. Të dhënat nga terreni tregojnë për një mungesë të theksuar të interesit dhe humbje të plotë të besimit te të papunët për të përdorur kanalet formale të aplikimit për punë. 47.6 për qind e të papunëve në Kosovë thonë se të njohurit janë mënyra e vetme për t’u punë- suar në sektorin publik. 18 për qind thonë se për t’u punësuar në sektorin publik duhet jepet ryshfet. Ndërsa, vetëm 11.4 për qind thonë se për t’u punësuar në sektorin publik duhet pasur njohuri për fushën ku aplikoni. Mbi 60 për qind preferojnë të punojnë në Kosovë
60.2 për qind e të anketuarve preferojnë të gjejnë një punë brenda Kosovës, ndërsa vetëm 22.5 për qind e tyre kanë treguar preferencën e tyre për të punuar në ndonjë vend tjetër evropian. Një numër i konsiderueshëm i respondentëve kanë deklaruar se do të punonin me orar të plotë me një pagë prej 201 - 300 euro
Shumica e të anketuarve shpenzojnë të ardhurat e tyre kryesisht në mbulimin e nevojave themelore. Shumë pak bëjnë shpenzime në investime afatgjata, aktivitete të kohës së lirë apo luks. Për shkak të gjendjes jo të mirë financiare, shumica e të anketuarve nuk marrin pjesë në ngjarjet shoqërore, sportive, teatër, ekspozita apo koncerte.
Mbi 60 për qind e të anketuarve nuk kanë udhëtuar jashtë vendit gjatë vitit të kaluar. Të dhënat nga terreni tregojnë se llojet e tjera të kohës së lirë ose edhe të aktiviteteve të tjera luksoze janë përjetuar rrallë nga qytetarët. Pyetjes se sa ushqehen në restorante apo në vende të tjera ku shërbehet ushqimi, 42 për qind i janë përgjigjur jo.
Përveç se ushqehen rrallë jashtë, rezultatet tregojnë se edhe frekuentimi i kafeneve apo i bareve të ndryshme gjatë natës është i vogël. 49.5 për qind e të intervistuarve deklarojnë se ata kurrë nuk dalin natën në bare apo kafene. 22 për qind deklarojnë se dalin natën disa herë në vit ndërsa, 8.1 për qind dalin gjatë natës disa herë në javë. Vetëm 1.8 për qind thonë se dalin natën rregullisht.
Të anketuarit janë skeptikë në lidhje me trajtimin mjekësor që mund ta marrin. 34 për qind e tyre thonë se nuk janë të sigurt nëse do ta marrin shërbimin mjekësor që iu nevojitet. Për më tepër, shumica e kosovarëve nuk mendojnë se fondet e asistencës sociale përfundojnë tek ata që kanë më shumë nevojë. Vërehet se në masë të madhe opinionet e qytetarëve janë të ndikuara nga mediet. Përgjigjet e marra ilustrojnë ndikimin e mbulimit nga ana e medieve, sidomos në abuzimet që lidhen me kategoritë e dala nga lufta.
Të anketuarit besojnë që asistenca dhe shërbimet sociale nuk ndikojnë negativisht në përtacinë e qytetarëve.
Në raportin me temë “Hulumtimi i Perceptimeve dhe Qëndrimeve të Qytetarëve për shtetin social”, janë bërë gjetjet për papunësinë, standardin e jetesës dhe perceptimet e qytetarëve për shtetin social. Raportet mund t’i gjeni në vjegëzat më poshtë:
Në Kosovë, sistemi i pensional është i kombinuar dhe përbëhet nga disa skema pensionale si: pensionet bazike, kontributdhënëse dhe vullnetare.
Shtylla e parë është e dedikuar për pensionet bazike. Ketë skemë pensionale e gëzojnë personat mbi moshën 65-vjeçare. Në këtë shtyllë, përveç pensionit të pleqërisë, hyjnë edhe pensionet për persona me aftësi të kufizuara, invalidët e luftës, pensionet e hershme, pensionet kontributdhënëse, pensionet për pjesëtarët e FSK-së, pensionet për veteranët e luftës, pensionet për ish të përndjekurit politikë, si dhe pensionet për personat e verbër. Buxheti i përgjithshëm për këtë shtyllë të pensioneve është 264.979.437 euro.
Shtylla e dytë e skemës pensionale janë pensionet kontributdhënëse. Kursimet e detyrueshme pensionale në llogaritë individuale të menaxhuara nga Trusti Pensional i Kosovës. Të dy, punëdhënësi dhe punë- marrësi kontribuojnë me një minimum prej 5 për qind të normës bruto të pagës. Sipas Ligjit të punës, punëdhënësi është i detyruar t’ia paguajë punëmarrësit kontributet dhe ta paraqesë në Administratën Tatimore të Kosovës.
Kurse shtylla e tretë e pensionit ka të bëjë me pensionin shtesë. Në këtë shtyllë më së shumti hyjnë pensionet vullnetare. Skemat janë të licencuara dhe rregullohen nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).
Për sa i përket ndarjes gjinore, 81 mijë e 469 gra përfitojnë nga pensioni bazë dhe vetëm 42 mijë e 680 janë burra. Kjo dëshmon mospërfshirjen e gruas në treg të punës edhe para vitit 1999. Ndërkohë, numri i pensionistëve burra që përfitojnë nga pensionet kontributdhënëse është rreth 30 mijë më i madh se numri i pensionisteve gra. Nga pensioni kontribuues përfitojnë 36 mijë e 36 burra, ndërsa vetëm 5 mijë e 249 gra.
Në raport me sistemin pensional janë evidentuar disa dobësi, të cilat janë të natyrave të ndryshme, që shkojnë nga administrimi i tij deri te qëndrueshmëria financiare.
Zgjidhja e këtyre problemeve nuk duhet të shtyhet, sepse planifikimi i sistemit të pensioneve nuk e rrezikon vetëm atë, por tërë ekonominë. Për një efikasitet më të madh të pensionit bazë, mbështetur edhe në disa gjetje të fundit të Bankës Botërore, adaptimi i një strategjie të kombinuar do të ishte zgjidhja më e mirë. Ajo do të mundësonte një efikasitet administrativ më të madh, mundësi të barabarta për pension të moshës së shtyrë dhe taksim të duhur.
Vlen të theksohet se gjatë viteve '90 më shumë se 100.000 kosovarë u pushuan nga puna në sektorin publik dhe autoritetet ndaluan së paguari përfitimet për shqiptarët etnikë. Gjatë intervenimit të NATO-s, në vitin 1999, u shkatërruan të gjitha të dhënat kontribuuese të kosovarëve që ishin në moshë pune
Detajet të tjera rreth politikave të pensioneve në Kosovë mund t’i lexoni në vjegëzat më poshtë:
Në Kosovë jetojnë rreth 131.500 persona mbi moshën 65-vjeçare. Këta persona kanë qasje të kufizuar në skemat e mbrojtjes sociale, si dhe në kujdes shëndetësor efikas. Për këtë kategori të qytetarëve, shteti i Kosovës ofron vetëm këto skema sociale:
Sipas studimit të kryer nga IKS-ja (Kosova s’është vend për pleq, 2016) më shumë se 80 për qind e pensionistëve deklarojnë se të ardhurat e tyre mujore nuk i mbulojnë shpenzimet për mjekimin e tyre. Shumica e të anketuarve deklarojnë se shuma e tyre e pensionit nuk i mbulon shpenzimet për barna. 69 për qind e pensionistëve kërkojnë ndihmë nga familja për t’i mbuluar shpenzimet mjekësore. Sipas studimit, një familje mesatarisht shpenzon afro 35 euro në vit për barna. Sa i përket furnizimit me barna esenciale nga institucionet shëndetësore publike, 55 për qind e të anketuarve janë ballafaquar me mungesën e këtyre barnave.
Ata janë të pakënaqur edhe me shërbimet në qendrat e kujdesit shëndetësor. 53 për qind e të anketuarve thonë se ato janë mesatarisht të kënaqshme. Për shkak të treguesve të përmendur më lart të nivelit të shërbimeve të ofruara nga institucionet e shëndetit publik, e vetmja zgjidhje për të moshuarit mbetet kërkimi i ndihmës nëpër institucione private shëndetësore, e që është shumë më e kushtueshme. Një handikap për personat mbi moshën 65-vjeçare është se ata nuk mund të sigurohen në institucione të sigurimit privat, pasi ato nuk ofrojnë sigurime për personat mbi këtë moshë.
Pensionistët nuk janë të kënaqur as me mënyrën e përcaktuar për tërheqjen e mjeteve të Fondit të Kursimeve Pensionale. Pamundësia për tërheqjen e të gjitha mjeteve, nëse shuma e kursimeve është mbi 2.250 euro, është vetëm njëra nga çështjet që i ka revoltuar ata. Të pakënaqur janë edhe me tarifat që disa banka i ngarkojnë me rastin e tërheqjes së kursimeve në disa faza, si dhe e drejta që u është dhënë bankave private që të menaxhojnë me mjetet e tyre të kursyera.
Pra, shqetësimi më i madh për të moshuarit është gjendja e tyre e dobët socio-ekonomike, e shkaktuar nga skema e ulët e ndihmës sociale, si dhe kostot e larta shëndetësore. Rastet më të rënda janë individët e moshuar, të cilët jetojnë vetëm dhe nuk kanë ndihmë nga familja. Përderisa, numri i njerëzve të moshuar në Kosovë është në rritje, investimi në shëndetësi, si dhe skemat sociale nuk përputhen me këtë ritëm. Pra, edhe pas shtatëmbëdhjetë vjetësh nga përfundimi i luftës dhe tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë, Qeveria akoma nuk ka arritur të ndërtojë një sistem efikas bazik të mbrojtjes sociale në mënyrë që pensionistët të kenë një jetë të dinjitetshme.
Paga minimale në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në mes 40 - 50 për qind të pagës mesatare. Paga minimale për punëtorët kosovarë është më e ulëta në rajon. Ta zëmë paga minimale në Serbi është 251 euro. Në Kosovë, paga minimale nuk ka ndryshuar që nga viti 2011, që është në kundërshtim me kërkesën ligjore për rishikim të përvitshëm të saj. Ajo është e kategorizuar në bazë të moshës. Për punëtorët nën moshën 35 vjeç është 130 euro, ndërsa për punëtorët mbi moshën 35 vjeç është 170 euro. Paga minimale nuk është e detyrueshme për kompensim (kur punonjësi është në festat publike, pushim vjetor, punë praktike etj.). Përfaqësues të punëtorëve dhe të bizneseve në Kosovë me vite kanë kërkuar nga autoritetet kompetente që të gjendet një mënyrë për rritjen e pagës minimale në vend. Këshilli Ekonomik Social (KES), përmes IKS-së, ka kërkuar që të bëjë një studim krahasues për modelin e përcaktimit të pagës minimale dhe të asaj mesatare. Ky studim do të ndihmojë komisionin, KES-in dhe ministritë për përcaktimin e pagës minimale. Në bazë të raportit të IKS-së, KESi do të rekomandojë nivelin e pagës minimale në përputhje me kriteret e përcaktuara me nenin 57 të Ligjit të punës 03/L-212 dhe me dispozitat e Udhëzimit administrativ nr. 09/ 2013, për kriteret dhe procedurën e përcaktimit të pagës minimale në Republikën e Kosovës”.
Këshilli Ekonomik Social këtë vit ka propozuar që paga minimale për punëtorët kosovarë të ngrihet në 210 euro. Një vendim i tillë është dërguar edhe në Qeveri, por ende nuk është ndërmarrë asnjë veprim për ndryshimin e pagës minimale.
Tek në dhjetor të këtij viti në takimin e KES-it, ministri i Ministrisë së Punës dhe i Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka premtuar se “shumë shpejt” do të fillojnë debatet për trajtimin e pagës minimale në vend. Ndryshimi i pagës minimale është komplikuar pasi që në Ligjin për veteranët thuhet se pensioni për veteranë do të jetë në nivel me pagën minimale. Çdo rritje e pagës minimale do të pasojë edhe me rritje të pensionit për veteranët dhe kjo do të ndikojë direkt në rritjen e shpenzimeve buxhetore.
Zvarritja e rishikimit të pagës minimale lë shumë hapësirë për diskutim. Një nga arsyet e zvarritjes së pagës së re minimale është edhe shmangia tatimore që bëjnë bizneset e ndryshme në emër të pagës minimale. Është i shpeshtë fenomeni që punëdhënësi e deklaron një pagë minimale për punëtorin tek Administrata Tatimore e Kosovës - ATK, kurse një pjesë të pagës ia paguan kesh, në mënyrë të kundërligjshme. Lënia e pagës së njëjtë për disa vite, ndërkohë që pagat në sektorin publik janë rritur dy herë, tregon se e njëjta duhet të rishqyrtohet duke u bazuar në një analizë paraprake. Në bazë të Ligjit të punës, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale, sipas propozimit të Këshilli Ekonomik Social.
Gjatë përcaktimit të pagës minimale duhet të merret parasysh kostoja e shpenzimeve jetësore, përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend. Në shumë vende të botës thuhet se paga minimale ka pasur efekte mjaft pozitive në forcimin e stabilitetit social
Detaje të tjera të raportit mund të gjenden përmes vjegëzës:
http:/www.iksweb.or/repository/docs/Minimum_wage_Study_2016__330251.pdf
Marrëdhënia mes punëdhënësve dhe punëmarrësve në Kosovë, sidomos në sektorin privat, është aspekti në të cilën bëhen shkeljet më të mëdha të të drejtave të njeriut. Në sektorin privat, zbatimi i Ligjit të punës dhe i atij për siguri dhe shëndet në punë është në nivel minimal. Të drejtat e punëtorëve shkelen në një shkallë të panjohur për shoqëritë demokratike, çfarë Kosova pretendon të jetë. Punëtorët e bizneseve private nuk i gëzojnë të drejtat elementare, duke u bazuar në Raportin e monitorimit të bizneseve, të realizuar nga IKS-ja, përmes një metode, ku përfshihen vizitat në terren, monitorimi i zbatimit të ligjeve në fjalë, si dhe i analizave statistikore
Shumica e punonjësve në sektorin privat, nuk kanë kontrata të rregullta, të bazuara në dispozitat e Ligjit të punës. Në të shumtën e rasteve, kontratat që iu ofrohen atyre, bëhen më shumë për t’iu shmangur ndëshkimeve eventuale nga Inspektorati i Punës, funksionimi i të cilit lë shumë për t’u dëshiruar, se sa për t’ia njohur të drejtat punëtorit. Puna jashtë orarit nuk u kompensohet, përjashtohen nga puna pa ndonjë kriter, nuk gëzojnë masa mbrojtëse në vende ku rreziku për jetën është shumë i madh, si dhe nuk ofrohen trajnime të nevojshme për ngritje profesionale, gjë që në shoqëri të zhvilluara është njëra nga politikat më të rëndësishme të bizneseve. Në këto rrethana, sigurimi shëndetësor gjatë punës, si më i rëndësishmi për secilin punonjës, me përjashtim të ndonjë rasti sporadik, nuk ofrohet nga bizneset private të Kosovës.
Mungesa e sindikatave, përmes të cilave do të përfaqësoheshin punëtorët e tyre në mbrojtën e të drejtave të tyre, i ka dhënë mundësinë e një forme të vrazhdë ekonomisë së tregut, ku shfrytëzimi i padrejtë dhe trajtimi pa dinjitet i tyre, është karakteristikë e aktualitetit në Kosovë. Krahas kësaj, funksionimi i dobët i gjykatave, e bën edhe më të vështirë situatën çfarë i dekurajon punonjësit që përmes institucioneve të mbrojnë të drejtat në marrëdhënien e tyre të punës. Rrjedhimisht, mosrespektimi i Ligjit të punës dhe i atij për siguri dhe shëndet në punë përgjithë- sisht, penalizon edhe ata operatorë ekonomikë që iu përmbahen atyre, pasi që garën e bëjnë të pabarabartë në kushte të një ekonomie të tregut të lirë ku ajo ligjërisht garantohet.
Duk u bazuar në Raportin për monitorimin e bizneseve, mbetet një domosdoshmëri e padiskutueshme e fuqizimit të Inspektoratit të Punës, për të forcuar zbatimin e të dy ligjeve bazike të perënduara. Vetëm 52 inspektorë nuk mjaftojnë për të inspektuar të gjitha bizneset në Kosovë. Ngritja e kapaciteteve duhet të ndodhë. Karshi kësaj, Inspektorati duhet të rrisë transparencën për punën e vet.
Gjithashtu janë të nevojshme ndryshimet legjislative. Duhet të përmirësohen ato aspekte diskutabile, duke pasur në konsideratë ekonominë e vendit dhe mirëqenien sociale. Përfundimisht, për ta ndjekur në një mënyrë ose tjetër praktikën e vendeve të shumta gjithandej botës është e domosdoshme hapja e një departamenti të veçantë që trajton çështjet e punës në ndonjërin prej niveleve të gjykatave të Kosovës. Shumë vende të botës, duke përfshirë edhe ato të rajonit, kanë gjykata të veçanta. Hapja e një të tille në Kosovë, do të shërbente në përmirësimin e marrëdhënieve të punës.
Përfaqësimi i dobët i sektorit privat, si pasojë e fragmentarizmit të sindikatave, paraqet sfidën më të madhe për të pasur një dialog social kuptimplotë në nivel qendror. Raporti për Kosovën i vitit 2016, i bërë nga Komisioni Evropian, ka evidentuar këtë të metë, krahas mungesës së kapaciteteve institucionale për të ofruar shërbime sociale të nevojshme, sidomos atyre komunale. Për të dyja këto, në raport paraqiten rekomandime të cilat duhet të bëhen në mënyrë që dialogu social të jetë produktiv dhe sidomos në funksion të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve të sektorit privat, si dhe në ofrimin e shërbimeve të nevojshme sociale. Në lidhje me këtë, Ligji për Këshillin Ekonomik Social duhet të amendamentohet, rekomandim ky të cilin Komisioni Evropian e ka bërë edhe në Raportin e Progresit të vitit 2015, kurse si çështje është ngritur që në vitin 2014. Megjithatë, ashtu edhe siç paraqitet në këtë dokument, nuk është bërë asnjë përparim në këtë drejtim.
Institucionet, sidomos ato lokale, kanë mungesë të kapaciteteve për të ofruar në mënyrën e duhur shërbimet sociale. Mungesa e të dhënave për popullsinë, ka bërë që të ketë vështirësi në implementimin e aktiviteteve të planifikuara. Për pasojë, nuk ka asnjë përparim në përfshirjen e familjeve dhe fëmijëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian. Sipas raportit, edhe pamundësia e fëmijëve me nevoja të veçanta për të frekuentuar shkollat publike, paraqet një fushë ku nuk është bërë progres. Për këtë, Komisioni Evropian ka rekomanduar që Kosova të bëjë ndryshime të nevojshme në Ligjin për financa lokale dhe të transferojë kompetencat e nevojshme te komunat për të menaxhuar shpërndarjen e shërbimeve sociale dhe të familjeve. Po ai rekomandim është bërë edhe në vitin 2015, por nuk është trajtuar si çështje nga institucionet shtetërore të Kosovës. Përgjithësisht, dialogu social i bazuar në raportet e Komisionit Evropian, nuk ka ndonjë ndryshim që vlen të theksohet që nga viti 2014
Në këtë vit, ishte evidentuar se asnjë plan konkret nuk ekzistonte për të zbatuar Kontratën kolektive. E njëjta gjendje paraqitet edhe në Raportin e vitit 2016. Mungesa e ofrimit të mundësive të barabarta, për burra dhe gra, është një tjetër problem i evidentuar nga Komisioni Evropian. Progresi i munguar në këtë fushë thuhet se është pasojë e mungesës së dialogut social. Është rekomanduar që në vitin 2014 ndryshimi i Ligjit për barazi gjinore, si dhe në dy raportet pasuese është theksuar nevoja për forcim të legjislacionit. Konsiderohet se gjendja aktuale është diskriminuese sidomos për ato gra që punojnë në sektorin privat. Gjetjet e Raportit për Kosovën të vitit 2016 konstatojnë se nuk është bërë progres nga institucionet në rritjen e mundë- sive të barabarta përmes forcimit të dialogut social.
Edhe pas shtatëmbëdhjetë vjetëve të përfundimit të luftës, punëtorët kosovarë vazhdojnë të jenë viktimë e punëdhënësve, të cilët pothuajse çdo ditë e shkelin Ligjin e punës. Një prej shkeljeve më të shpeshta ka të bëjë me oraret e punës dhe ditët e pushimit. Përderisa, Ligji i punës garanton javën e punës prej dyzet orëve të punës, në praktikë shumë kompani obligojnë të punësuarit të punojnë nga gjashtë ditë në javë (dyzet e tetë orë pune) pa kompensim shtesë, siç e parasheh Ligji.
Sipas statistikave të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, rreth 38 për qind e të punësuarve në sektorin privat vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune dhe në kushte të rënda. Këto statistika tregojnë se mbi 55 mijë e 200 të punësuar nuk paguajnë tatimin në pagë. Sipas të dhënave të kësaj sindikate 90 për qind e kompanive nuk e respektojnë Ligjin e punës dhe Marrëveshjen kolektive.
Edhe siguria dhe shëndeti i punëtorëve në vendin e tyre të punës vazhdojnë të mbeten mjaft të ulëta në Kosovë. Sipas të dhënave të Inspektoratit të Punës, vetëm gjatë vitit 2016 në vendin e punës e kanë humbur jetën 7 punëtorë. Edhe pse ka tre vjet që ka hyrë në fuqi Ligji për sigurinë dhe shëndetin në punë, implementimi i tij mbetet i mangët. Edhe hulumtimi i IKS-it po ashtu tregon se ka një nivel të lartë të informalitetit në tregun e punës, pra punëtorë që punojnë në të zezën. Mungesa e kontratave është shkelje e Ligjit të punës. Në mungesë të kontratave, punëtorëve u pamundësohen që t’i gëzojnë të drejtat e tyre të punës, madje ata e kanë të pamundur t’i mbrojnë të drejtat e tyre nëpër gjykata, nëse është e nevojshme.
Sektori i ndërtimtarisë që karakterizohet me shkallën më të lartë të informalitetit ka edhe nivelin më të lartë të rrezikshmërisë në punë. Pjesa më e madhe e lëndimeve dhe e vdekjeve aksidentale në vendin e punës kanë qenë nga ky sektor.
Organizimi Sindikal nëpër biznese dhe sidomos aktivizimi më i madh i Inspektoratit të Punës janë dy parakushtet për të filluar zbatimin më të madh të Ligjit të punës edhe në sektorin privat. IKS-i konstaton se amnistia e kompanive private ka bërë që të drejtat e punëtorëve të mos zbatohen siç kërkohet në ligj. Prandaj, bizneset që nuk e zbatojnë ligjin pas vërejtjeve të Inspektoratit, duhet të gjobiten. Inspektorati duhet të angazhohet më shumë si dhe duhet të mbrohen punëtorët që i raportojnë shkeljet në mënyrë që të luftohet informaliteti.
Pushimi i lehonisë është një nga politikat që shtetet e përdorin për të stimuluar natalitetin dhe për të rinuar popullatën, duke ofruar përkrahje të ndryshme për lehonat. Por kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Shteti ka marrë barrën më të vogël kur është fjala për lehonat. Ndonëse shpeshherë edhe gjatë këtij viti janë diskutuar rastet individuale të largimit të grave nga puna për shkak të shtatzënive, nuk ka statistika se sa lehona kanë mbetur pa punë për shkak të mosgatishmërisë për pagesë të pushimit të lehonisë nga ana e punëdhënësve.
Aktualisht, Qeverisë i takon të kompensojë vetëm 50 për qind të pagës mesatare për tre muaj. E bizneseve private (punëdhënësit) u është lënë që për gjashtë muaj të kompensojnë 70 për qind të pagës bazë të punëtorit, që në shumë raste në sektorin privat është më e lartë se paga mesatare në Kosovë. Me pëlqim të lehonës, pushimi mund të zgjatet edhe tre muaj pa pagesë.
Me fillimin e zbatimit të Ligjit të punës në Kosovë, ka rezultuar që çështja më diskutabile është neni për lehonat, në të cilin institucionet e Kosovës ua kanë lënë bizneseve barrën për të kompensuar pushimin e lehonisë. Dispozitat për pushim të lehonisë janë bërë burimi kryesor i diskriminimit të grave gjatë procesit të rekrutimit. Në fund të vitit të kaluar është rihapur çështja e pushimit të lehonisë. IKS-i ka rekomanduar të ndryshohet mënyra e pagesës së pushimit të lehonisë. Nuk ka rëndësi nëse do të mbetet 1 vit apo do të ulet në 9 muaj, e rëndësishme është mënyra e kompensimit të lehonave. Kemi rekomanduar që barrën kryesore për kompensim të lehonave ta marrë Qeveria e Kosovës dhe jo bizneset.
Një ndarje e barabartë e barrës së pagesës do të ishte mënyra më e mirë që, përveç stimulimit të natalitetit, të mos pengohet as punësimi i grave.
Ky rekomandim bazohet në gjetjet e raportit “Hulumtimi i perceptimit dhe i qëndrimeve të qytetarëve për shtetin social”, të publikuar këtë vit nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet. Aty thuhet se punësimi në Kosovë është në favor të meshkujve, duke u diskriminuar femrat.
Sipas këtij raporti, më të prekurat nga papunësia në Kosovë janë femrat. Kjo gjetje i konfirmon të dhënat e publikuara edhe nga Agjencia e Statistikave, që tregojnë se niveli më i lartë i papunësisë është te femrat e reja. Në raportin me temën “Hulumtimi i perceptimeve dhe i qëndrimeve të qytetarëve për shtetin social”, të realizuar nga IKS-i thuhet se 23.6 për qind e qytetarëve punojnë në kompani private. Ndërsa, numri i të punësuarve në sektorin publik është vetëm 7.6 për qind.
Kontrata kolektive, e nënshkruar në kohë të zgjedhjeve në mars të vitit 2014, e cila ka hyrë në fuqi nga janari i vitit 2015, ishte kritikuar se ka paraparë shumë pak elemente përtej ligjit, duke e vënë në pikëpyetje rëndësinë e saj. Ajo ka përcaktuar themelimin e marrëdhënies së punës, të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e punëdhënësit dhe punëmarrësit, orarin e punës, punën e natës, pushimin vjetor, atë të lehonisë, shujtën ditore, sigurinë në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarit dhe mbrojtjen e ambientit të punës.
Me gjithë vlerësimet se ishte e mangët, ajo asnjëherë nuk është zbatuar në tërësi. Shumë pika të Kontratës kolektive janë të pazbatueshme në sektorin privat, por edhe në atë publik. Për shembull, shujta ditore nuk paguhet në shumicën e institucioneve publike e private. Mësimdhënësit ende nuk po arrijnë të marrin tri paga pas pensionimit.
Deri më tani vetëm përvoja e punës, edhe atë kryesisht në sektorin publik është duke u respektuar. Ky debat është shumë aktual, pasi KEDS-i po vazhdon të kundërshtojë zbatimin e saj, në kohën kur po vazhdon largimi i punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje nga puna, me arsyetimin e shuarjes së disa departamenteve brenda kompanisë.
Dialogu social përfshin të gjitha llojet e negocimit, konsultimit ose shkëmbimit të informacionit ndërmjet përfaqësuesvetë Qeverisë, punëdhënësve dhe punëtorëve për çështjet me interes të përbashkët në lidhje me politikat ekonomike dhe sociale.
Këshilli Ekonomik Social, apo, siç është quajtur në fillim, Këshilli Trepalësh, fillimisht kishte dështuar të arrinte misionin për të cilin ishte krijuar. Palët nuk patën arritur të gjenin gjuhën e përbashkët për të iniciuar dialogun në mes të partnerëve socialë. Për pasojë, dialogu social ka qenë dhe ende është njëra prej çështjeve që ka marrë gjithnjë rekomandime në raportet e progresit të BE-së për Kosovën.
Dialogu social, është një nga shtyllat qendrore të Agjendës së Punës së Denjë të Organizatës Ndërkombëtare të Punës. BE-ja kishte konstatuar se në Kosovë ka nevojë për përmirësimin e dialogut social. Për këtë qëllim, qysh në vitin 2013 është iniciuar projekti “Përkrahje partnerëve socialë (PPS)”, një projekt i udhëhequr nga Organizata joqeveritare IKS, në partneritet direkt me “Friedrich Ebert Stiftung Pristina” (FES), Odën Ekonomike të Kosovës, Sindikatën e Pavarur të Energjetikës së Kosovës (SPEK), Sindikatën e Pavarur të Metalistëve të Kosovës (SPMK), organizatën spanjolle ‘Fundacio Pau i Solidaritat’ dhe Qendrën Kosovare për Studime Gjinore. Projekti është përkrahur nga Bashkimi Evropian. Projekti si i tillë, deri në gusht të vitit 2016, çdo herë ka ndihmuar sindikatat me një sërë punëtorish duke rritur kështu aftësitë në tërheqjen e anëtarësisë së re për hartimin dhe zbatimin e projekteve dhe mirëmenaxhimin e financave.
IKS-i është themeluar në vitin 2004, duke u inspiruar dhe mbështetur nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, procedurat dhe metodologjinë e së cilës i ka ndjekur për të zhvilluar studime me fokus lokal, përmes një hulumtimi analitik të thellë dhe avokimit. Që atëherë, puna e IKS-it është zgjeruar duke përfshirë hulumtime kuantitative dhe asistencës teknike. IKS-i synon të mbajë primatin në lëmin e dialogut social, përmes zhvillimit të hulumtimeve empirike dhe ngritjen e vizibilitetit dhe të audiencës së brendshme. Përpilimi i Programit të IKS-it është i definuar në Planin strategjik të organizatës, që fokusohet në tri fusha kryesore: Qeverisje e mirë (Politikat publike, Antikorrupsion) Drejtësi sociale (Dialogu social, Politikat Sociale dhe Përkrahjen Sindikatave) dhe Trashëgimia Kulturore (promovimi dhe ruajtja).
Integrimi në BE, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut janë të përfshira në programet dhe projektet e IKS-it përmes masave afirmative, rezultateve specifike gjinore dhe aktivitete të tjera të paraqitura me qëllim të integritetit të prioriteteve të ndërlidhura të organizatës.
Që nga viti 2013, IKS-i është involvuar gjithashtu në zbatimin e projekteve me mbështetje sektoriale që ndikojnë në politika dhe mbështesin ngritjen e kapaciteteve. Në kuadër të programit të dialogut social, që nga viti 2013 IKS-i ka implementuar aktivitete në vlerë prej më shumë se 700 mijë eurosh, të cilat, ndër të tjera, janë shpenzuar në zhvillimin e përmbajtjes së dialogut social dhe paraqitjen e fakteve bazuar në politikëbërje, e cila është arritur me publikimin e disa botimeve analitike, që përkrahin proceset e amendamentimit të politikave për katër ligjet bazike në fushën e punës dhe të marrëdhënieve të punës. Asistenca teknike dhe ngritja e infrastrukturës për partnerët socialë ka qenë gjithashtu një veçori që dallon punën e IKS-it në kuadër të programit për dialogun social.
Ndihma në ngritjen e kapaciteteve ka qenë gjithashtu një komponent i rëndësishëm i punës së IKS-it, krahas promovimit të gjerë publik dhe fushatave për një gamë të gjerë të çështjeve të drejtësisë sociale
IKS-i është pjesë e rrjetit të frymëzuar nga ESI që merret me hulumtime në mbarë Evropën Juglindore dhe është anëtare e asociuar e ECAS-it.
Ky raport u përpilua në bashkëpunim me Institutin "Columbus".