Nuk kalon veç nëpër një dimension kohor dhe as nëpër hapësirë kur e bën xhiron e Dinarikeve në Alpet Shqiptare. Bjeshkët e dendura, masivët shkëmborë e oazat livadhore të çojnë miliona vjet pas e të kthejnë në historinë e vonë. Të ndezin imagjinatën e zanave dhe mbretërve, njashtu siç edhe të fusin brenda filmave epikë që magjepsin me peizazhe, e që frymëzojnë me rrëfime për heronjtë. Nëse ia del ta kapësh me sy e t’i lëshohesh krejtësisht asaj që të rrethon, si një nga ta ndihesh edhe vetë.
Alpet Shqiptare e përmbyllin në juglindje harkun e maleve Dinarike që nisin në Trieste të Italisë, në veriperëndim, e vazhdojnë përgjatë Adriatikut duke arritur kulmin në 2.694 metra lartësi mbidetare (m/lmd) në Jezercin e Shqipërisë. E kemi në prag të derës ndjesinë e vargut 645 kilometërsh të maleve që kanë zënë fill mbi 200 milionë vjet më parë, në atë që shkencëtarët e kanë quajtur epoka e zvarranikëve dhe epoka e halorëve. Sot kur i ec ato sheh shkëmbinj me gjurmët e thella të rrjedhave milionavjeçare të ujit, sheh zvarranikë që evolucioni i ka bërë më të vegjël se njerëzit dhe përplot drunj halorë si një trashëgimi që nuk humb.
Vera e këtij viti u përmbyll me një ekspeditë të Klubit Alpin Prishtina (KAP) që çoi rreth 20 alpinistë nëpër magjinë e një shtegu të Alpeve Shqiptare. Ecja treditore ua shpalosi fuqinë e gjithë bjeshkëve dhe gjerësinë e lëndinave përgjatë një shtegu 60 kilometërsh. Të njohura me emrin Bjeshkët e Nemuna ato kapin veriun e Shqipërisë, perëndimin e Kosovës dhe juglindjen e Malit të Zi. E veçantitë e relievit të tyre i bëjnë kufijtë të pakuptimtë – si ata të hartave ashtu dhe ata që njeriu i ka brenda vetes. Shtegu i përshkuar është veç një nga të shumtit që bjeshkët vetë i kanë krijuar. Shtigje që historikisht u kanë shërbyer lëvizjeve të natyrshme të njerëzve për të jetuar - për t’u mbrojtur e për të luftuar, për të tregtuar e për t’u miqësuar. Tani me ndihmën e udhërrëfyesve, janë edhe shtigje që mundësojnë të vizitosh e të njihesh me vendin që ruan origjinalen e autoktonen; me vendin që të jep rastin të shkosh përtej vetes që e njeh.
Siç ka disa shtigje dhe segmente të shumta të tyre, ka edhe disa pika të qasjes. Dinarikeve nga Kosova, në renditjen Veri-Jug, mund t’u qasesh nga katër të tilla: 1. Nga Gryka e Rugovës, përkatësisht rajoni i Bjeshkëve të Kuqishtës dhe Lugu i Shkodrës, 2. Gryka e Deçanit nëpërmes ujëmbledhësit të Zallit të Rupës, Bjeshkëve të Belegut dhe Roshkodolit; 3. Grykës së Junikut nëpërmes Masivit të Gjeravicës dhe Grykës së Lloqanit; dhe 4. Vargmaleve në perëndim të Gjakovës, përkatësisht Bjeshkëve të Koshares.
Ekspedita e Klubit Alpin Prishtina nisi te vendi i quajtur Zalli i Rupës, aty ku të çon Gryka e Deçanit. Rrugëtimi rreth 30 kilometërsh nga qyteti i Deçanit e te kjo pikë t’i përzien ndjenjat. Kalon njëherë kah një Manastir sa përrallor aq politik, e teksa ngjitesh më lart sytë ta kërkojnë Lumëbardhin që nuk e sheh. Gryka madhështore ka mbetur pa gurgullimën e lumit që është shkëmbyer për një impiant rryme. E tillë, e bukur megjithatë, është një korridor për te pikënisja, me rrugën që nuk mund ta kalojë çfarëdo veture, deri aty ku automjetet fare nuk mund të shkojnë. Aty edhe zbret, shtrin këmbët, njoftohesh me terrenin përreth dhe pashmangshëm e çon kokën lart. E sheh veten të vogël në mesin e bjeshkëve gjigante që për një moment të sfidojnë, të frikësojnë e të gëzojnë njëkohësisht. Është pika ku e ndan mendjen që shtegtimit t’i dalësh në krye, me gjithë pengesat që mund të paraqiten; ku çdo gjë është e pranueshme, përveç kthimit prapa. Tani të gjithë janë gati për të hyrë në botën e Dinarikeve të Bjeshkëve të Nemuna. Ecje nëpër Kosovë, Mal të Zi e Shqipëri, nëpër shtigje që të marrin sytë e mendjen dhe të bëjnë të harrosh se je duke i kaluar këmbë. Shtegu mbështjell maje të shumta, kalon nëpër qafa bjeshkësh e lugje të blerta dhe shkëmbore... Pas tri ditësh ai të shpie te pika tjetër e qasjes, në Kuqishtë të Pejës, për ta përmbyllur xhiron e gjurmëve të paharrueshme.
Zalli i Rupës është një ujëmbledhës natyror në themelet e shumë bjeshkëve e luginave - të Dobroshit, të Gjeravicës, të Plaqicës së Vokshit dhe Tropojës, rrëpirave të masivit të Ropsit dhe të Logut të Prelës - si dhe dhjetëra rrëke malore që vijnë nga perëndimi. Janë disa rrjedha ujërash që duhet kaluar për t’u nisur kah perëndimi, nëpër shtigjet e Bjeshkës së Dobroshit. Në veri ngrihet Maja e Ropsit që mbërrin në 2.501 m/lmd dhe është rezervat bimor i molikës, bredhit, pishës e ahut, e shpallur zonë e mbrojtur natyrore qysh më 1955.
Nisja nga Prishtina u bë në terr, kurse mëngjesi i hershëm çeli te pikënisja e ecjes, ku grupi doli nga veturat e terrenit (4x4) dhe ndau pajisjet, ashtu që secili të merrte peshën që i takonte. Duhej ngarkuar me ushqimin, teshat dhe pajisjet e kampimit për t’i shtyrë tri ditët në mal, dhe barra që ta nxehte shpinën për këto ditë sillej nga 15 e deri 25 kilogramë.
Pa këto pesha nuk do të mund ta përjetoje kënaqësinë e lehtësimit kur grupi ndalej për të pushuar e çantat i lëshoje përtokë. Nga ana tjetër, ndjesia që jepte natyra ishte e ndryshme në çdo hap, varësisht se nëpër cilën bjeshkë kaloje dhe në çfarë kohe të ditës.
Bjeshka e parë, ajo e Dobroshit, bëri menjëherë për vete ata që ngadalësuan hapin për të përjetuar vezullimën e rrezeve të diellit të mbushur me fjollat, të cilat fryma e lehtë i shkulte nga bimët në njërin krah të shtegut. Të krijohej përshtypja se kishe hyrë në një përrallë dhe imagjinata të rikthente filmat e vjetër të fëmijëve për zanat e malit që shfaqeshin bashkë me dritën që t’i merrte sytë. Bimët që dikur kishin pasur lule dhe kishin arritur lartësi gati njëmetërshe, tashmë ishin pjekur dhe ishin mbushur me fjolla të bardha si copëza pambuku që puhia i mbante pezull nëpër hapësirën e shtegut. Distanca që të jepte këtë kënaqësi, nuk ishte e gjatë, por e mjaftueshme për ta kuptuar si mirëseardhje në botën e dimensioneve të shumta.
Shtigjet e Dobroshit të shpien në Qafën e Bogiqes në kufi me Malin e Zi, për të dalë te Kodra e Rrafshët (Ravno brdo). Përpjeta e lehtë por e gjatë nëpër Bjeshkën e Bogiqes, të largonte nga dimensioni i zanave e të vendoste mbi një paletë gjigante ngjyrash e kontrastesh. E blerta e ndezur e barit dhe oazat e kuqërremta të shkurreve të ulëta nëpër faqen e gjerë të bjeshkës, të çonin lart drejt horizontit ku nuk e dije se çfarë befasie e re të priste. Ndërkohë mbusheshe jetë bashkë me bimët, derisa ndjeje lagështinë e tokës përfundi këmbëve nga uji që e përshkonte vende-vende derisa edhe ai e çelte rrugën e vetë.
Lart, te Qafa e Bogiqes, e gjen veten pranë portës së “Mbretit të Unazave” – filmit që ka magjepsur botën me pamjet epike të xhiruara nëpër vendet më të bukura të globit. Je në një kreshtë të Alpeve Shqiptare dhe pamja në 360 shkallë të mahnitë. Sillesh përreth dhe veç i lëshon sytë. Shikon male gjithandej dhe edhe ato të shikojnë nga të gjitha anët. Ndihesh e lirë dhe e mirëpritur; kureshtare për t’i prekur; e fuqishme për t’i kaluar të gjitha.
Një moment i bukur për t’u fotografuar dhe natyrisht edhe fotot duhej bërë nga të gjitha anët. Tashmë ka kaluar një orë e gjysmë nga pikënisja, rreth 5 kilometra, për të vazhduar drejt Majës së Trekufirit që shënon pikën ku tri shtetet takohen në 2.366 m/lmd. Në perëndim, në Shqipëri, ngrihet maja e Spalit në 2.203 m/lmd që njihet edhe me emrin maja e Shpatit dhe njashtu duket, si shpat guri gri që nuk mund të mos të ta tërheqë vëmendjen. Ecja merr një lakesë kah Lugu i Shterpave, brenda territorit të Malit të Zi, një terren i rrëpirët me një shteg të ngushtë për të kaluar nëpër të. Nga aty mund të shikosh lart e të të merren mendtë dhe njëjtë të ndodhë edhe nëse shikon poshtë nga pjerrtësia e pafund. Rrugës takon shkëmbinj që ashpërsia e miliona vjetëve i ka ndarë në dysh, e kur e çon kokën sheh edhe tufa delesh, që bashkë me bariun kalojnë nëpër horizont. Je larg për t’u parë si rrezik për delet, andaj në këtë pikë deltarët ilirë nuk merren me ty. Ecja vazhdon drejt Bjeshkëve të Dobërdolit, për të hyrë tani në territorin e Shqipërisë.
Disa pushime të shkurtra janë bërë deri në këtë pikë dhe tani është koha e drekës. “Tryeza” shtohet në kreshtën në mes Bjeshkës së Dobërdolit dhe Lugut të Shterpave, pikë strategjike kjo, nga ku mund të vështrosh dhe të shijosh magjinë e rajonit më të pasur me ujëra dhe liqene akullnajore, e të cilat shtrihen krenare në Bjeshkët e Dobërdolit, Sylbicës dhe asaj të Gjeravicës në juglindje. Ndalesa nis me kënaqësinë e heqjes së çantës nga shpina, për të vazhduar me shijimin jo veç të ushqimit që ke marrë për vete. Zakonisht me miqtë, ata që ke njohur më parë dhe me të rinjtë që ke bërë në mjedisin më të mirë për të nisur një shoqëri, shkëmben gjësendet që ke në çantë. Është kjo pjesë e qejfit dhe e krijimit të një fryme të përbashkët të grupit, që për disa ditë do t’i ndajnë bashkë të mirat dhe vështirësitë.
Por, çdo ndalesë sa është e mirëseardhur aq edhe të bën telashe. Pasi ke shtrirë këmbët e ke mbushur barkun, shkon një sy gjumë. Lëvizja nga vendi, ngarkimi i çantave dhe hapat e parë çdoherë janë paksa sfidues. Megjithatë, ritmit i kthehesh shpejt posa të shohësh që përpara ke një pafundësi magjie të cilën s’të pritet ta përjetosh.
Relievi i Alpeve Shqiptare ka pamje të rrallë me kreshta e shpate të thepisura, maja të mprehta të dhëmbëzuara e të zhveshura, kanione e gryka të ngushta përgjatë luginave të thella. Është një grumbullim i ashpër e i copëtuar malor. Një studim i burimeve natyrore të Shqipërisë së veriut (Kola. H, Meta. M) e sqaron këtë si një dukuri e lidhur me mbizotërimin e formimeve gjeologjike të forta, veprimin intensiv të gërryerjes, krastit, akujve e borës, të cilat ndikojnë në formimin e liqeneve akullnajore me vlera të mëdha ekologjike e shkencore.
Ndërtimi gjeologjik i tyre, sipas këtij studimi, është i larmishëm, me formimet e vjetra të paleolitit (faza e hershme e epokës së gurit, 2.5 milionë vjet më parë), me të cilat lidhen pasuritë minerale të kuarciteve në luginat malore. Gëlqeroret që vijnë nga mesoziti (interval gjeologjik prej 252 deri në 66 milionë vjet më parë) kanë përhapjen më të gjerë dhe shërbejnë si bazë e boksiteve. Ato formojnë kurrizet kryesore të alpeve, që të përziera me dolomitet dhe të modeluara nga krasti krijojnë një reliev tepër të ashpër. Edhe hidrografia ka karakter alpin, me pasuri të mëdha ujore që vijnë nga sasia e madhe e reshjeve të shiut e të borës.
Ndonëse është fundi i verës kur uji është më i pakët, lëshimi tatëpjetës së Bjeshkës së Dobërdolit të bindë se këto pasuri vërtet janë të bujshme. Ecja nis të bëhet sfiduese nga uji që bashkë me ty bën rrugën te poshtë nëpër pothuaj tërë sipërfaqen e mbushur me bar dhe që të çon drejt tëbanave të Vatnikajve. Atje është edhe kroi dhe tashmë grupi nuk është vetëm. Pasi të kenë mbushur rezervat e ujit, dikush ndalet e bën muhabet me vendësit e paktë të cilët tregojnë për mundësitë që vizitorët kanë në këto anë për të bërë ndalesa, për të pushuar e për t’u ushqyer. Nuk shihet bagëti, ngase ato janë lëshuar në kullota, por kuajt që sillen andej pari duken krenarë e të fuqishëm; ngjyrash të ndryshme: të bardhë, të zinj e kuqaloshë.
Ecja vazhdon me kapërcimin e lumit të Dobërdolit që vjen nga liqenet e sipërme, si ai i Dashit e ai i Kingjave, dhe kalon rrëzë Majes së Kocajve që ngrihet në 2.399 m/lmd. Shtegut nuk i shihet fundi, por tashmë dita nis të përfundojë. Udhërrëfyesit e Klubit Alpin Prishtina nisin të identifikojnë një vend të përshtatshëm për të ngritur kampin. Nikoqire për natën e parë bëhen livadhet e Gucisë. Lëndina e blertë, mes drurësh të gjatë, ta jep ndjenjën sikur një pyll i dendur të ka marrë në gji që të bësh një gjumë të sigurt e të rehatshëm. Dhjetë minuta këmbë larg është edhe një krua me ujë të pijshëm dhe tanimë nis edhe të ndihesh si në shtëpi.
Derisa dielli perëndon dikush ngre tendat e dikush ndez zjarrin. Pranë tij janë të gjithë, kur hëna nis të dalë mbi bjeshkët e larta e t’i bashkojë rrezet e veta me dritën e flakëve që ngrihen në drejtim të saj. Mbrëmja zë e ftohet, por kjo s’u prish punë miqve të KAP-it t’i zgjasin fjalët, të ndajnë ushqimin e të ndihen të njëjtë në mjedisin që është i njëjtë për të gjithë. Dikur, gjumin dikush e bën më të mirë, e dikush nuk fle fare. Kjo e fundit u ndodh atyre që s’kanë kampuar më parë. Mbase, nga kureshtja, mosrehatimi në thesin e fjetjes apo edhe nga shiu e fryma që u lëshuan pak para se të çelë mëngjesi. Kur dielli del në horizont e banorët e tendave dalin jashtë tyre, një botë tjetër i pret. Livadhet e njomura nga shiu dhe nga vesa e mëngjesit reflektojnë rrezet e hershme të diellit, duke të krijuar përshtypjen që ndriçimi vjen edhe nga poshtë. Mendjes i duhet pak kohë për t’u adaptuar e për t’u bindur se kjo që po sheh është një mëngjes i zakonshëm i këtyre anëve, dhe ai është i vërtetë.
Këto male nuk angazhohen që veç vizitorët të bëjnë një natë të sigurt. Historikisht vargmali i Dinarikeve, prej Italisë e në Shqipëri, u ka bërë strehë dhe ka mbrojtur njerëzit e tij. Nëse diku është ruajtur ndonjë trashëgimi e paraardhësve të lashtë, ky është vendi ku duhet kërkuar atë. Gjurmë të gërmadhave të kështjellave dhe të luftërave që janë zhvilluar ndër shekuj gjenden përgjatë tërë relievit malor të tij. Në periudhën romake, Dinariket u kanë bërë strehë ilirëve që e kanë kundërshtuar sundimin romak të Ballkanit, i cili ka nisur në bregun lindor të Adriatikut në shekullin III para erës sonë. Këto male kanë qenë terren i përshtatshëm i forcave ilire të rezistencës për shumë vite derisa tërë rajoni nuk u është nënshtruar romakëve në vitin 14 të erës sonë. Por, shkëmbinjtë e Dinarikeve kanë qenë të pakalueshëm për sunduesit otomanë të shekullit XIV. Perandoria Otomane ka hasur në rezistencën më të fortë që nga ndeshja e parë me to tek Alpet Shqiptare. Edhe në shekullin XX, këto male kanë siguruar një terren të favorshëm për luftë guerile të partizanëve, të cilët kanë organizuar njërën prej lëvizjeve më të suksesshme të Aleatëve në Luftën e Dytë Botërore. Më e freskëta është përkrahja që Dinariket u kanë dhënë ushtarëve që kanë luftuar për të çliruar Kosovën, në fundin e viteve nëntëdhjetë. Nëpërmjet korridoreve malore, ata kanë bartur armatim nga Shqipëria, derisa forcat e Serbisë kanë qenë posaçërisht të përqendruara në atë zonë për ta penguar furnizimin. Gjurmë të pozicioneve luftarake të ndërtuara nga forcat serbe, ende mund të shihen afër kufirit me Shqipërinë, që nga Qafa e Trekufirit, Dobërdolit, Sylbicës, e deri në Koshare.
Sot, kur i ec këto vende mund t’i rikthesh ngjarjet më të hershme historike dhe ato që ende nuk i kanë mbushur dy dekada të plota, dhe t’i ndiesh bjeshkët e grykat që të rrethojnë si aleatin më të fortë të origjinës. Dhe derisa magjia e natyrës tërheq dashamirët e saj nga gjithë bota, vendësit kanë edhe një arsye më shumë për t’i njohur e për t’u kujdesur më shumë për to.
Dita e dytë e ekspeditës së KAP-it nis prej Livadheve të Gucisë, që janë në rajonin e Bjeshkëve të Çeremit, në veri të përroit të Trokusit, e drejt Kërshit të Gjombalicës në jugperëndim. Kalimi në territorin e Malit të Zi bëhet në Qafën e Aruqit në 1.918 m/lmd. Marshimi vazhdon nëpër Bjeshkët e Shterpave për t’u rikthyer sërish në territorin e Shqipërisë nëpër Qafën e Vranicës. Është ky një vendkalim i vjetër që ka lidhur banorët e Plavës me Çeremin. Edhe një marshim tjetër vazhdon kah vendkalimi tjetër i moçëm në Qafën e Borës që dikur ka lidhur banorët e Çeremit me Vuthajt. Lidhjet që ua ka krijuar natyra këtyre rajoneve kanë bërë që popullata shqiptare e këtyre vendeve, historikisht të mbajë lidhjet dhe ta ruajë gjuhën e traditat e veta ndër shekuj. Janë male të dendura me drunj ahu dhe pishe, por edhe me plot oaza livadhore, në të cilat takon barinj që kanë nxjerrë në kullosa tufa të mëdha delesh. Kur rrugët të priten me ta, e nuk i sheh veç në horizont, deltarët ilirë hidhen në mbrojtje të deleve të tyre.
Në fillim nuk mund t’i dallosh nga tufa, por dikur e kupton që ata janë të bardhë e leshatakë, por jo edhe dele. Edhe ata dikur e kuptojnë që alpinistët e kanë rrugën e vet dhe që krejt çka bëjnë është se ndërrojnë ndonjë fjalë me bariun. Barinjtë, si në territorin e Shqipërisë ashtu edhe në atë të Malit të Zi, të drejtohen me të njëjtin theks të gegërishtes verilindore dhe me të njëjtën mirësjellje. Me arritjen në Qafën e Borës në 2.860 m/lmd, nga Shqipëria kalohet sërish në Mal të Zi. Në jug të shoqërojnë Masivi i Kollatës dhe tri majat e tij mbresëlënëse – Rodi 2.556 m/lmd, Kollata e Keqe 2.534 m/lmd, dhe Kollata e Mirë 2.538 m/lmd që shtrihen në një perimetër trekilometrash. Shtegu vazhdon të jetë shkëmbor, në të shumtën e herëve duhet të kalosh nga shkëmbi në shkëmb për ta bërë rrugën drejt Vuthajve, vendit që do të jetë nikoqiri i natës së dytë. Gjatë zbritjes drejt këtij fshati, në jug e lë edhe një vendkalim historik; atë që ka lidhur Valbonën me Vuthajn dhe ka kaluar nëpër Qafën e Presllopit. Shtegu shkon duke u lehtësuar dhe gradualisht arrin në rrugë të asfaltuar. Anash sheh shtëpi të bukura që janë ndërtuar në periferi të fshatit, por pa banorë nëpër to. Sa më shumë i afrohesh qendrës, shtëpitë nisin e shpeshtohen, njëjtë si edhe bujtinat që kanë nisur të ndërtohen me shtimin e vizitorëve të bjeshkëve përreth.
Vend më të mirë për të kampuar se pranë lumit të Vuthajve dhe monumentit natyror Gërla nuk mund të ketë. Në afërsi është edhe një bujtinë e vogël me restorant, ku rastësisht takon miq që i njeh nga Prishtina e që vikendin kanë shkuar ta kalojnë në vendlindje. Mikpritja është e ngrohtë, aq sa çelësi i restorantit mbetet me alpinistët që të nesërmen, kur të ngrihen herët, t’ia përgatisin vetes nga një kafe apo çaj.
Ashtu edhe ndodhi. Por ecja drejt Kosovës nuk nisi pa edhe disa vizita në afërsi. Me transportin që KAP-i kishte organizuar qysh në Prishtinë, grupi niset drejt Krojeve të Ali Pashë Gucisë mbi të cilat ngrihet mali Brada i Vezirit, e pastaj edhe te Liqeni i Plavës për të përmbyllur kështu njohjen me më të bukurat e Plavës dhe Gucisë. Kthimi drejt lindjes kalon kah fshatrat malore Koritë, Komarac e Jarë për të arritur lartësinë 1.422 m/lmd, në Babino Polje, e për të marrë këmbë rrugën kah kufiri me Kosovën, në Qafën e Zavojit në 2.167 m/lmd.
Ky është vendi më i përshtatshëm për të parë bukuritë e segmenteve të Dinarikeve në Kosovë dhe për të harxhuar ushqimin që të ka mbetur në çantë. Ka mjaft kohë që udhërrëfyesit të të njoftojnë me krejt bjeshkët që shtrihen përreth. Në jug me Majën e Qenit 2.405 m/lmd, në lindje Marjashi 2.533 m/lmd, Bjeshkët e Milishevcit dhe ato të Strellcit, si dhe kanionin e Luginës së Deçanit.
Ecja vazhdon nëpër Bjeshkën e Roshkodolit, ku buron Lumëbardhi i Deçanit, të cilin nuk mund ta gjeje në shtratin e vet derisa ngjiteshe grykës që të shpinte te pika ku udhëtimi pati nisur dy ditë më herët. Drejt verilindjes kapërcen Qafën e Jelenkit 2.074 m/lmd, vazhdon kah Kërshi i Thërmuar në 2.131 m/lmd, nëpër Majën e Bajrakut 2.079 m/lmd, Pusi i Gucisë dhe del në Lugun e Shkodrës. Ky lug të çon kah Liqeni i Drelajve dhe Liqeni i Kuqishtës, liqene akullnajore të cilat janë shumë të njohura për vendasit dhe komunitetin bjeshkatar, për shkak të veçorive hidrologjike dhe gjeologjike, si dhe të pozicionit gjeografik në lartësi rreth 2.000 m/lmd. Prej liqeneve, rruga të shpie në një tatëpjetë të rrahur, e cila përfundon në Resorin e Kuqishtës, ku përmbyllet kjo ekspeditë.
Tre ditë ecjeje nuk shpalosin veç bukuritë dhe fuqinë e bjeshkëve të larta, por të bëjnë të ndihesh pjesë e kësaj trashëgimie natyrore e historike; të mendosh larg në kaluarën dhe edhe më larg në të ardhmen për ta ruajtur e promovuar vendin që të jep identitet dhe që më shumë vlen ashtu siç është, i paprekur e i padëmtuar. Rrugës për në qytet e kupton se sa shumë ka nevojë mali për drurët që i priten; shkëmbi për gurët që i thyhen e shtrati për lumin që i vidhet.
Kur bjeshkës i afrohesh dhe i dëgjon thirrjet e saj, ajo të jep bukurinë që ta mahnitësh botën.